Dy dite me pare, Kryeministri Edi Rama mblodhi rreth 200 biznesmenë Vip, për tu bërë thirrje për një nismë të përbashkët, për të rregulluar imazhin e tyre. Rama ka treguar shqetësimin e tij se në opinionin publik po rritet një frymë agresive kundrejt biznesmenit të madh që rëndom i quajnë oligarkë. Ai iu bëri me dije, se ndaj tyre po bëhen thirrje që t’ju digjen ndërmarrjet, bankat, që do ju turren vilave të tyre.
Prandaj, sipas Ramës, që të rregullohet ky imazh, ata duhet të japin 2% të dividentit, si një fond solidariteti, për të qetësuar turmat të cilët kanë alergji dhe urrejtje ndaj tyre.
Si fillim dua t’ju bëj me dije se edhe pse kam një biznes Vip, nuk isha i ftuar në atë takim nga Rama. Jam i lumtur për këtë fakt, sepse nuk dua të jem spektator i talljeve të kryeministrit. Por nga ana tjetër nuk e fsheh faktin se ky do kishte qenë një rast i mirë, për t’ju a thënë në sy, atë që mendoj dhe që e meritojnë, të gjithë atyre që ishin aty prezent.
Nëse do isha përballë Edi Ramës, do i thoja; Bravo të qoftë! Bizneset, të cilët pranuan të bëhen klientë të pushtetit për të rritur fitimet e tyre në mënyrë të padrejtë, të kanë borxh jo vetëm 2% të dividentit, por çfarë të të teket ty. Janë këta biznese të cilët asnjëherë nuk menduan se si të respektojnë rregullat e ekonomisë së tregut, të konkurrencës së ndershme, të jenë të pavarur nga çdo lloj pushteti dhe të luftojnë me ndershmëri për të qenë më të mirët dhe më të suksesshmit në treg.
Janë këta biznesmenë të cilëve unë iu kërkova rreth 4 vite më parë që të bashkoheshim për të kundërshtuar në Gjykatë Kushtetuese ligjin e supergjobave dhe ata nuk pranuan. Ai ligj u hodh poshtë nga padia e Shoqatës për Mbrojtjen e Tregtarëve që drejtohet prej meje. Ata nuk pranuan të bashkoheshin në luftën kundër taksave dhe tarifave të larta të cilat të gjithë e dimë se janë të papërballueshme nëse nuk gjen rrugë të paligjshme për të fituar. Janë këta biznesmenë të cilët nuk u ngritën asnjëherë për çmimet e karburantit, energjisë elektrike, ujit, gazit, të cilat për biznesin janë më të lartat në Europë. Janë këta biznesmenë që nuk u ngritën kundër grabitjes së pronave, por disa prej tyre madje përfituan nga kjo vjedhje.
Këta biznesmenë të cilët tani, me urdhër të Ramës, iu duhet të bëhen zemërdhemshur, nuk i pashë të reagojnë kur fëmijët e Shkozës qanin dhe ulërinin sepse pushteti i Edi Ramës i la pa shtëpi dhe i hodhi në rrugë. Nuk i pashë të reagonin për banorët e Unazës së Re dhe t’i propozonin një zgjidhje Ramës, kur fëmijët e lemeritur dhe të rraskapituir nga protestat e përditshme, mbanin pankarta në duar; “Xhaxhi Edi Rama mos na i prish shtëpitë!”. Por jo, beniaminët e Ramës zgjodhën rrugën e informalitetit dhe korrupsionit, duke bërë sikur asgjë e keqe nuk po ndodh në këtë vend dhe i madhi nuk duhet kundërshtuar për asgjë. Prandaj sot nuk kanë rrugë tjetër veçse të rrinë të tulatur, sepse e dinë që ja kanë borxh kryeministrit çdo gjë që ai do ju kërkojë.
Sa për fondin e solidaritetit, e bëj me dije Kryeministrin se si qytetarë të përgjegjshëm të këtij vendi, nuk kemi pritur urdhër prej tij për të qenë solidarë dhe humanë. Kompania Neranxi ka vite që jep me qindra bursa për të rinj, që ata të diplomohen në Institutin Kulinar Neranxi, sepse prindërit e tyre Rama i ka lënë në mjerim. Ne kemi vite që punësojmë individë me aftësi ndryshe dhe i trajtojmë ata me dashurinë dhe përkushtimin të cilat shteti nuk iu a dha kurrë. Ne kemi vite që bëjmë shumë vepra humanitare të cilat as nuk kemi dashur t’i bëjmë publike.
Sepse dy janë rrugët që do zgjedhësh në jetë; ose të jesh një njeri që pranon vasalitetin për dy lekë më shumë dhe kjo racë biznesmenësh, padyshim që nuk e njeh solidaritetin dhe hallin e tjetrit, ose do të zgjedhësh të jesh një qytetar i përgjegjshëm në çdo aspekt të jetës, që nga pagesat e detyrimeve në shtet, në cilësinë e produktit dhe shërbimit dhe deri tek humanizmi ndaj shoqërisë.
Realisht i mëshiroj ata ushtarë të mjerë, të cilët Rama pardje i vuri në rresht si njerëzit më të pavlerë të këtij vendi duke i urdhëruar për gjobën e rradhës.
Së fundi, nëse kjo çmenduri e Ramës do bëhet ligj, Shoqata për Mbrojtjen e Tregtarëve dhe Tregut të Shqipërisë me Kryetar Nikollaq Neranxin, do ta çojë në Gjykatë Kushtetuese, si një ligj antikushtetues. Nga ana tjetër, nxisim dhe inkurajojmë drejtësinë e re që po krijohet, që të bëjë veting në sipërmarrjet e mëdha, si një detyrim ndaj shoqërisë e cila ka 30 vite që është marrë peng nga njerëzit e korruptuar në biznes, politikë dhe drejtësi./Panorama/