Obama ka theksuar se bota po rrezikohet seriozisht nga ndotja. “Nëse nuk ndërpritet shpërndarja e gazit serë, Toka do të përballet me një të ardhme katastrofike”. Është ky alarmi i lëshuar nga presidenti amerikan Barak Obama gjatë një konference mbi Arktikun në Anchorage në Alaskë. Nëse nuk do të reduktohet sasia e CO2, planeti do të shohë “kombe të përmbytura, qytete të braktisura dhe refugjatë kudo”. “Ndryshimi klimatik, – shtoi Obama, – nuk është më një problem i largët, por po ndodh këtu dhe tani”. Shefi i Shtëpisë së Bardhë, ka nënvizuar mes të tjerash se si ndryshimi klimatik po ecën me ritme të shpejta ndaj abuzimeve të bëra nga dora e njeriut, për të parandaluar një ngrohje të globit. Për të dhënë shifrën e emergjencës mjedisore që po godet Arktikun, Obama ka kujtuar që pikërisht Alaska “po vuan një nga erozionet e mëdha të linjës bregdetare që kërcënojnë shtëpitë buzë detit”.