PAKISTAN: PEZULLOHET DËNIMI I ISH-KRYEMINISTRIT IMRAN KHAN PËR KORRUPSION

Bota

Mbetet e paqartë nëse pezullimi i dënimit do të ndikojë në ndalimin e tij për të kandiduar në zgjedhje

Dënimi tre-vjeçar i ish-kryeministrit pakistanez Imran Khan për korrupsion është pezulluar, por nuk dihet se kur do të lirohet. Khan u burgos më 5 gusht pasi u dënua me tre vjet burg për shitje të paligjshme të dhuratave të qeverisë gjatë mandatit të tij si kryeministër 2018-22. Si rezultat i dënimit, dhe me zgjedhjet parlamentare që priten në muajt e ardhshëm, Komisioni Zgjedhor i Pakistanit gjithashtu e ndaloi Khan të konkurronte për zgjedhje për pesë vjet.

Avokatët e ish-kryeministrit kërkojnë një urdhër të Gjykatës së Lartë që të mos ndalohet në asnjë çështje tjetër, por nuk është caktuar një datë për shqyrtimin e këtij aplikimi.

Para dënimit të tij, ai kishte arritur t’i shmangej kapjes për muaj të tërë, me mbështetësit që ndonjëherë bënin beteja të ashpra me policinë për ta mbajtur atë jashtë burgut.

Më 9 maj, Khan u arrestua pasi nuk u paraqit në gjykatë siç kërkohej. Ai u la i lirë tre ditë më vonë, arrestimi u shpall i paligjshëm.

Arrestimi nxiti protesta në të gjithë Pakistanin – disa prej tyre të dhunshme dhe shumë duke synuar instalimet që i përkisnin ushtrisë, të cilën protestuesit fajësuan për rënien e tij.

Khan ka akuzuar më parë ushtrinë pakistaneze për ndërhyrje në jetën politike.Ushtria luan një rol të spikatur në politikën pakistaneze, ndonjëherë duke marrë pushtetin në grusht shteti ushtarak dhe herë të tjera duke tërhequr telat prapa skenave.

Shumë analistë besojnë se fitorja e Khan në zgjedhjet e vitit 2018 u ndihmua nga ushtria.

informacioni nga BBC