Pas orësh të tëra radhë kilometrike/ Reagon policia kufitare: Normalizohet situata në Kapshticë

Aktualitet

Pas disa orësh radhë kilometrike, është normalizuar situata në pikën kufitare të Kapshticës.

Policia kufitare bën të ditur se fluksi u eleminua pasi u shtuan sportelet në dalje dhe në hyrje të Shqipërisë.

Konkretisht pala shqiptare ka punuar me 5 sportele në dalje dhe 3 në hyrje, ndërkohë që edhe pala greke punoi me sportele të shtuara.

“Pasditen e sotme, në dalje të Pikës së Kalimit Kufitar Kapshticë ka pasur fluks në rritje të qytetarëve dhe automjeteve që lëviznin në drejtim të shtetit grek.

Për shkak të fluksit në rritje, Policia Kufitare shtoi në maksimum numrin e sporteleve, konkretisht me 5 sportele në dalje dhe 3 në hyrje të Republikës së Shqipërisë.

Njëkohësisht Shefi i Stacionit të Policisë Kapshticë mori kontakt me homologun në palën greke me qëllim që edhe policia kufitare greke të shtonte sportelet.

Pas takimit mes dy policive, pala greke shtoi sportelet dhe menjëherë filloi lëvizja e njëtrajtshme duke eleminuar radhët e krijuara për shkak të fluksit të madh që kishte në orët e pasdites.

Aktualisht në këto momente, situata është normale në Pikën e Kalimit Kufitar Kapshticë dhe nuk ka qytetarë e automjete në radhë”, njofton policia./ CNA.al