Profili i tri dekadave emigracion

129

Afro tri dekada pas fillimit të tranzicionit post-socialist, migracioni ndërkombëtar dhe ndikimet e tij ekonomike, politike dhe sociale mbeten një çështje thelbësore në Shqipëri.

Aktualisht, më shumë se 1,5 milionë shtetas shqiptarë, më shumë sesa gjysma e popullsisë së vendit, kanë emigruar kryesisht në Itali dhe Greqi dhe në një shkallë më të ulët, në ShBA. Një studim i ekspertëve Ilir Gëdëshi dhe Rasëll King, tregon se secila prej tri dekadave të migracionit shqiptar ka pasur intensitet specifik e karakteristika dalluese.

Në dekadën e parë, migracioni ishte mjaft intensiv, spontan dhe i parregullt. Ai përbëhej kryesisht nga meshkuj në moshë të re, në kërkim të punës dhe që përpiqeshin t’u shpëtonin pasojave të reformave drastike të tranzicionit, si dhe kaosit politik e shoqëror gjatë këtyre viteve në Shqipëri. Në fund të kësaj dekade, skemat e legalizimit, së pari në Itali e më vonë në Greqi, i lejuan shumë emigrantë ta formalizonin situatën e tyre dhe të merrnin me vete familjarët në vendin pritës. Në fund të viteve ’90, vlerësohej se rreth 800 000 shqiptarë jetonin e punonin jashtë, kryesisht në Greqinë e Italinë fqinje.

Dekada e dytë e migracionit shqiptar u karakterizua nga pjekuria e ciklit migrator. Procesi i legalizimit të imigrantëve shqiptarë në vendet pritëse, që nisi në fund të viteve ‘90, u ndoq nga bashkimi familjar, integrimi dhe përmirësim i statusit ekonomik e shoqëror i imigrantëve. Flukset vazhduan, por, si rrjedhojë e një qëndrueshmërie më të madhe ekonomike në Shqipëri dhe për shkak të shkallës së lartë të të larguarve në vitet ’90, me intensitet më të ulët, pa episode ekstreme dhe kryesisht legale. Edhe pse Greqia dhe Italia mbeten dy vendet kryesore pritëse për migrantët shqiptarë, gjeografia e destinacionit u diversifikua, duke përfshirë vende të tjera europiane dhe të Amerikës së Veriut.

Gëdeshi dhe King analizojnë se dekada e tretë e emigracionit u karakterizua nga një intensitet i përsëritur dhe diversifikim i flukseve ndërkombëtare migratore, i cili mori tipare dhe destinacione të reja. Kulmi i këtyre flukseve arriti në vitin 2015, kur rreth 67 000 u regjistruan si azilkërkues në vendet e BE-së. Kthimi i migrantëve shqiptarë, kurba e kthimit të të cilëve arriti kulmin në vitet 2010–2013 (kriza greke) dhe në 2016–2017 (kërkesat e refuzuara nga Gjermania), ishin një tjetër karakteristikë e këtij dhjetëvjeçari.

Këto flukse të rigjallëruara të migracionit janë shprehje e potencialit të lartë migrator të popullsisë shqiptare, i cili është rritur gjatë viteve të fundit. Një studim i vitit 2018 mbi migracionin e mundshëm zbuloi se 52% e shqiptarëve të grupmoshës 18–40 vjeç dëshironin të migronin jashtë Shqipërisë.

Studimi i vitit 2018 tregon se dëshira e popullsisë shqiptare për të migruar është rritur me 8 pikë përqindje në 11 vjet dhe se karakteristikat kanë ndryshuar krejtësisht. Në vitin 2007, shumica e atyre që dëshironin të migronin ishin të papunë, të pakualifikuar dhe me arsim e të ardhura të ulëta. Në të kundërt, ata që dëshirojnë të migrojnë aktualisht kanë një punë, janë të kualifikuar e të arsimuar dhe, sipas standardeve shqiptare, kanë të ardhura të mesme dhe të larta.

Përveç këtyre tipareve, gjeografia e destinacioneve të dëshiruara ka ndryshuar. Ndërkohë që në vitin 2007, shqiptarët ishin më të prirë të emigronin në Itali e Greqi, tashmë ata dëshirojnë të emigrojnë në Gjermani dhe ShBA. Ekonomia vijoi të mbizotëronte te faktorët shtytës në vitin 2018 (56%), edhe pse në shkallë më të ulët sesa në vitin 2007 (65%). Përveç kësaj, janë shfaqur faktorë të rinj, si “dëshira për të shkolluar fëmijët” (12%) dhe se “nuk ka të ardhme” në Shqipëri (11%). Këto të dhëna konfirmohen edhe nga anketa botërore e Gallup, që e vlerëson potencialin migrator nga Shqipëria në 56% për periudhën 2013–2016.

Nga vendet e tjera të renditura në krye në nivel global, Shqipëria ka parë rritjen më të madhe të migracionit të mundshëm me 20 pikë. Ky ndryshim sasior dhe cilësor i migracionit real e të mundshëm nga Shqipëria gjatë dhjetëvjeçarit të fundit ngre pyetje të rëndësishme mbi shkaqet në themel të rishfaqjes së kësaj dukurie. Në grupin e faktorëve të brendshëm, kushtet ekonomike kanë qenë sigurisht kryesoret gjatë tri dekadave të migracionit shqiptar.

Përveç kësaj, kriza ekonomike globale uli me një të tretat dërgesat në para nga emigrantët shqiptarë, që kanë qenë nga kontribuuesit kryesorë për zbutjen e gjendjes së varfërisë në shumë familje shqiptare. Ndërsa në vitin 2007, dërgesat arritën kulmin me 952 milionë euro, që përbënin 12,3% të PBB-së, në vitin 2015, ato ranë në 597 milionë euro, ose 5,8% të PBB-së. Kjo, nga ana tjetër, kontribuoi për rritjen e shkallës së varfërisë në familjet shqiptare, një fenomen që ishte thuajse përgjysmuar në periudhën 2000–2008.

Në vijim, migracioni i mundshëm i popullsisë shqiptare nën efektin e krizës ekonomike globale, në mungesë të zgjidhjeve të brendshme dhe duke pasur parasysh perceptimin e njerëzve për të ardhmen, pati rritje. Faktorët ekonomikë dhe hendeku i madh në të ardhura me ekonomitë e përparuara në BE dhe Amerikën e Veriut nuk janë të vetmit që shpjegojnë dëshirën e njerëzve për të migruar nga Shqipëria, analizojnë Gëdeshi dhe King.

Të dhënat e anketave që ata kanë realizuar për Shqipërinë tregojnë se njerëzit në përgjithësi dhe migrantët e mundshëm janë të pakënaqur me sistemin arsimor, me sistemin e sigurimeve shoqërore, kujdesin shëndetësor, shërbimin civil, sistemin e drejtësisë dhe partitë politike (për të përmendur vetëm disa prej tyre).

Monitor