Ugur Sahin, drejtori ekzekutiv i ndërmarrjes gjermane BioNTech, e cila të hënën e kaluar njoftoi se ka zhvilluar së bashku me Pfizer një vaksinë kundër koronavirusit me efektivitet 90%, tha për “The Guardian” se kjo vaksinë do të mund të ndalojë pandeminë Covid-19.
Ai tregoi edhe periudhën se kur do t’i kthehemi jetës normale: “Nga mesi i vitit të ardhshëm. Por, para se të ndodhë kjo, na pret një dimër i vështirë. Edhe sikur të nisë shpërndarja e vaksinës në dhjetor, situata nuk do të ndryshojë në mënyrë rrënjësore”.
Shkencëtari shpjegoi edhe se si do të funksionojë vaksina e Pfizer: “Vaksina pengon që Covid-19 të ketë akses në qelizat tona. Por, edhe nëse hyn në qeliza, ato e eliminojnë virusin. Kemi hyrë shumë thellë në sistemin imunitar për të perfeksionuar mbrojtjen e vaksinës”.
Në lidhje me kritikat e Presidentit amerikan Donald Trump, i cili akuzoi se lajmi për vaksinën u dha vetëm pas zgjedhjeve në SHBA, Sahin theksoi: “Hetimi farmaceutik nuk duhet politizuar kurrë. Është çështje integriteti, nuk do të kishte qenë etike që të mbanim të fshehtë informacionin. E rëndësishme është që po merremi me vaksinën dhe nuk bëjmë politikë”.
Top Channel