Tiranë – “Në 72 televizionet e vendit, të listuar sipas Autoritetit të Medias Audiovizive, vetëm në 10 prej tyre nuk ka vonesa të pagave dhe detyrimeve financiare ndaj punonjësve\” shprehet Unioni i Gazetarëve. Në “Ditën Botërore të Lirisë së Shtypit” Unioni i Gazetarëve Shqiptarë ka shprehur shqetësimin për gjendjen sipas tij të përkeqësuar të situatës sociale e financiare të qindra gazetarëve në të gjithë vendin. Unioni madje i konsideron tronditëse të dhënat që ai zotëron. “Në 23 gazetat e përditshme socio-politike të vendit vetëm në 4 prej tyre respektohen dhënia e pagave korrekte në kohë dhe ato janë Panorama, Gazeta Shqiptare, Shqiptarja.com dhe Shqip. Në 19 gazetat e tjera vonesat janë të përhershme dhe gjithashtu edhe ikjet e gazetarëve nga puna pa përfituar shpërblimet e punës së kryer” bën të ditur Unioni i Gazetarëve. Por sipas tij situata më e rëndë është në televizionet e vendit. “Në 72 televizionet e vendit, të listuar sipas Autoritetit të Medias Audiovizive, vetëm në 10 prej tyre nuk ka vonesa të pagave dhe detyrimeve financiare ndaj punonjësve, të cilat janë RTVSH, Top Channel, News 24, A1 Report, TV Klan dhe disa televizione lokale. Ndërsa në 62 prej tyre, vonesat vijojnë nga një deri në pesë e gjashtë muaj, përfshirë në këtë gjendje edhe televizione kombëtare” konstaton Unioni i Gazetarëve. Ndërkaq në \”71 radiot e vendit, vetëm 8 prej tyre paguajnë në kohë pagat, ndërsa 63 prej tyre janë në riciklim vonesash të pagave në mënyrën më arbitrare të cilat nisin nga një muaj e shkojnë deri në pesë muaj\”. E prekur nga ky fenomen është edhe media on-line. \”Nga 250 web-e dhe gazeta online të çelura përgjatë periudhës 2014 e deri më sot, në të cilat na rezulton të jenë punësuar mbi 320 gazetarë, vetëm në 50 prej tyre ka një sistem modest pagesash, ndërsa në 200 prej tyre ka një realitet informal të tmerrshëm”, shpreh shqetësimin Unioni i Gazetarëve. Kjo organizatë ka kërkuar një seancë dëgjimore në Komisionin e Medias të parlamentit shqiptar, për të nxjerrë median nga kjo gjendje dhe për t’i dhënë asaj më shumë dinjitet.