Thotë se në një vit ja ka dalë ta shkundë Bashkinë e Tiranës, kjo përmes dhjetëra projekteve. Erjon Veliaj rrëfen për Top Channel vitin e parë në krye të Bashkisë.
“Besoj që nuk ka asnjë dyshim që në Bashkinë e Tiranës po punohet. Besoj që mund të punohet gjithnjë më shumë, mund të bëhet gjithnjë më mirë. Kur Bashkia është shkundur nga një gjumë 4-vjeçar, kjo është një gjë më e mirë. Por besoj se së paku sot Tirana është më e pastër, ndonëse është larg ambicies time. Sot Tirana është qyteti i fëmijëve. Sot Tirana ka më shumë parqe, përveç rehabilitimit tek liqeni. Në një qytet, qielli është limiti se çfarë mund të bëjmë”, thotë ai.
Dy janë ndryshimet për të cilat Veliaj është krenar.
“Ndryshimi në infrastrukturë dhe ndryshimi në mentalitet. Të dyja duhet të shkojnë paralelisht sepse qyteti nuk është vetëm llaç e tulla”, shprehet kreu i bashkisë së kryeqytetit.
Por cilat janë planet dhe projektet më ambicioze për momentin?
“Muajin që vjen kur qytetarët të kthehen nga pushimet, do shohin se ka filluar puna në sheshin ‘Skënderbej’. Pothuajse do ketë mbaruar puna me Unazën e Vogël. Këndi i lodrave u shndërrua në një histori suksesi që po e replikojmë tani edhe në nivel lagjesh. Do fillojë punën një kompani pastrimi, do ta çojmë në një nivel më të lartë nivelin e higjienës në Tiranë. Brenda këtij viti do fillojmë projektin për të ndërtuar 17-20 shkolla. Do jetë viti i parë kur do fusim konceptin e biletës elektronike në transportin urban. Ne do kalojmë për herë të parë planin e përgjithshëm vendor për Tiranën, do e çojmë për votim në vjeshtë, që përfshin disa ndërhyrje. Ky do jetë viti më i mirë për bulevardin, ai do takohet me lumin e Tiranës. Në fund të vitit qytetarët do shohin parkingun e parë nëntokësor në Tiranë”, shprehet ai.
Nuk kanë munguar në këtë një vit përballje e akuza, sikurse edhe beteja ligjore.
“Nuk kam preferuar asnjë në jetë të bëj viktimën në jetën time e të gjej fajin tek të tjerët. A më ka ardhur mirë nga mali i shpifjeve dhe sharjeve? Sigurisht që siç do njeri prej mishi dhe gjaku nuk më ka ardhur mirë. Por në funksionin e kryetarit të bashkisë, as nuk më lejohet të emocionohem qoftë edhe kur Presidenti i republikës politizohet për një gjë kaq banale sa është një kopësht lojërash. Betejat ligjore kryesisht i kemi fituar. Sigurisht që kemi pretendime për disa beteja ligjore që janë në vazhdim. Besoj se reforma në drejtësi do adresojë disa nga këto anomali”, deklaroi Veliaj.