Veprime të turpshme me nxënësen 14-vjeçare, lihet në burg mësuesi

Aktualitet

“Arrest me burg” është masa e sigurisë  që Gjykata e Tiranës ka dhënë për mësuesin e shkollës 9-vjecare në Kashar, Hasan Martini, i cili akuzohet për ngacmim seksual ndaj nxënëses 14-vjeçare.

Para trupit gjykues, mësuesi nuk pranoi akuzat dhe u shreh se nuk ka ngacmuar askënd, ndërsa e konsideroi arrestimin e tij të paligjshëm.

“S’kam abuzuar me askënd. Më kanë arrestuar me të padrejtë”, ka thënë 64-vjecari. Ndërkohë edhe avokati i të pandehurit ka thënë se klienti i tij nuk ka kryer asnjë vepër penale.

Kujtojmë se mësuesi i matematikes në shkollën 9-vjeçare në Kashar, Hasan Martani u arrestua disa ditë më parë pasi dyshohet se ka abuzuar seksualisht me një nxënëse të klasës së shtatë në ambientet e shkollës. Përveç kallëzimit që i është marrë 14-vjeçares, prindërit e saj kanë dorëzuar si provë edhe disa mesazhe që ai i kishte dërguar vajzës në rrjetin social “Facebook”.

Ndërkohë në prani të psikologut, e mitura ka treguar se mësuesi i Matematikes që ishte dhe mësuesi kujdestar i saj e mbante në klasë dhe kryente veprime të turpshme me të. Ajo ka rrëfyer më tej, duke shtuar se mësuesi e puthte dhe e prekte në zona intime. Sipas saj veprimet bëheshin edhe në korridore apo ambiente të tjera të shkollës.

Por të gjitha këto mësuesi ka mohuar kategorikisht gjatë marrjes në pyetje në polici. Ai pohoi se me vajzën ka pasur një raport korrekt mësues-nxënës.

Më herët, nëna e vajzës dëshmoi se si mësoi nga mesazhet në ‘Facebook’ se vajza e saj abuzohej nga mësuesi në ambientet e shkollës.

“Vajza ime e denoncoi. Nuk ka pasur shqetësim nga mësuesit e tjerë. Edhe për këtë mësues kam pasur respekt se ishte autoritar. Jam befasuar kur i pashë me sytë e mi mesazhet në ‘Facebook’. M’u shemb bota. Vajza është ekselente. Si ngjarje kam një javë që e di. Kam dorëzuar provat. Nuk duhet vetëm pezullimi, por kërkoj të dënohet. Ai që dyshonim se ishte i rrezikshëm iku. Kam qenë e shqetësuar se vajza si tip ka qenë edhe e mbyllur dhe mbyllja shkoi edhe më tej”, thotë ajo.