Reforma në drejtësi është në prag të miratimit të saj mes palëve, gjë që sipas kryeministrit Rama do e shkëpusë vendin nga nga faza e tranzicionit. Duke folur në konferencën rajonale kundër terrorizmit, Kreu i Qeverisë shqiptare bëri apel për bashkëpunim dhe koordinim mes vendeve për të luftuar ekstremizmin.
Në takimin rajonal për luftën kundër terrorizmit ku e pranishme ishte edhe ambasadorja e BE-së në Tiranë, Romana Vlahutin, kryeministri Rama theksoi se reforma në drejtësi i hap rrugën proçesit të negociatave për integrimin e vendit në Bashkimin Europian si dhe e shkëput vendin nga tranzicioni.
Rama: Në disa mënyra rruga e integrimit është e mërzitshme nga 35 kapituj që çdo vend kandidat duhet të negociojë me BE në rrugën e gjatë të integrimit. Puna nuk fillon me kapitullin e parë, por nga kapitujt 23-24 që lidhen me drejtësinë dhe sigurinë. Edhe pse Shqipëria nuk i ka filluar negociatat, ajo ka nisur një proçes jetik për të ardhmen e saj europiane në formën e nje reforme në drejtësi shumë radikale që është në prag në miratimit. Reforma në drejtësi do ti japë vendit tonë ritmin e nevojshëm për tu shkëputur nga faza e tranzicionit. Pavarësish kritikës që ushtrojmë ne shqiptarët ndaj vetes, me reformën në drejtësi ne jemi shumë pranë prerjes së nyjes gordiane.
Duke u ndalur tek ekstremizmi, Rama përsëriti thirrjen për rritje të bashkëpunimit në rajon, dukë nënvizuar se ngritja e një qendre rajonale me bazë në Tiranë është një mënyrë për të parandaluar dhe luftuar fenomenin.
Rama: Përvoja e dekadës së fundit ka provuar se e vetmja mënyrë për t’u mbrojtur nga terrorizmi është përgatitja për përballjen të pashmangshme me të. Ajo që mund të bëjmë ne është që të bëjmë parandalimin e shndërrimit në terroristë të individëve që kanë prirje të tilla.Qendra rajonale në Shqipëri do të ishte një investim risi, jetëgjatë dhe me dobi të shumfishtë.
Gjatë fjalës së tij, kryeministri Rama njohu përfaqësuesit e rajonit me projektin e Qeverisë për të futur në shkolla mësimin mbi fetë, duke nënvizuar se do të jetë një investim kundër ekstremizmit dhe dhunës.
/Ora News/